Irvi Çela (M2018)
Technical University of Eindhoven / Netherland
Shkolla, si institucion, mendohet se është relativisht e lehtë të përkufizohet. Shkolla, si koncept, e bën këtë mision disi sfidues. Nga fjala shkollë vijnë fjalët shkollar, i shkolluar, e të tjera, të cilat jemi mësuar ti lidhim logjikisht me botën e arritjet akademike. Kjo, mendoj unë, nuk është racionalisht e saktë. Shkolla, në mënyrë indirekte, realizon një funksion tjetër thelbësor, i cili e bën njeriun shkollar e të shkolluar, të zotin akademikisht. Shkolla të mëson si të mësosh kush je ti e ç’të pëlqen të bësh me jetën tënde. Kur kjo e fundit fillon e gdhendet në tru, e shkolla tashmë konsiderohet si një instrument me të cilin mund të marrësh vendime, gjërat bëhen më të lehta. Po e ilustroj idenë time me një shembull tepër të thjeshtë: Shkolla është mami, lëndët janë pjatat me gjellë. Mami kujdeset që ti ta mbarosh pjatën deri në fund. Po të pëlqeu gjella, mirë, po s’të pëlqeu, prapë mirë; s’do e konsumosh herën tjetër.
Unë sot studioj Arkitekturë, Urbanistikë dhe Fizikë Ndërtesash. Pasi e mora vendimin, e çdo gjë kishte mbaruar, kuptova që isha grindur kot së koti për vështirësitë a konfuzionet a ngarkesën. Kuptova që, s’kisha bërë gjë tjetër veçse kisha provuar pak nga të gjitha gjellërat, e të gjitha më kishin pëlqyer. Zgjedhja që bëra për të ardhmen time, bën sens. Arkitekti është pak inxhinier, pak poet, pak matematicien, pak filozof, pak kimist, pak psikolog, pak zdrukthtar, pak financier, e pak piktor.
Kjo zgjedhje, qe e thjeshtë për tu bërë, sepse gjimnazin e kreva te Ernest Koliqi. Gjimnazi Ernest Koliqi gatuan “gjellëra” shumë të shijshme… madje gatuan edhe gjellëra, te mensa, ku ruaj kujtime pafund me miqtë e mi.