Për prindërit

  1. Çfarë niveli kërkese ka shkolla franko-shqiptare “Ernest Koliqi?
    “Ernest Koliqi” është një shkollë që ofron cilësi të lartë mësim- dhënie, por edhe shkollë që kërkon shumë prej nxënësve të saj. Ne besojmë se rezultatet e mira arrihen vetëm me punë serioze dhe sistematike. “Ernest Koliqi” është vendi i duhur për të rinjtë seriozë, punëtorë, të pasionuar dhe me ambicie për të ardhmen e tyre.
  2. Çfarë garancie kam si prind për seriozitetin dhe cilësinë e shkollës?
    “Ernest Koliqi” është krijuar nga një grup franko-shqiptar me synimin për të ofruar në Tiranë të njëjtin nivel që kanë shkollat perëndimore. Garancia e saj më e mirë janë serioziteti i themeluesve dhe i stafit. Shkolla ka përzgjedhur disa nga mësuesit më të mirë në shkollat më të njohura të vendit. Pika e referimit janë stardardet perëndimore. Shkolla ka shmangur problemet themelore që dëmtojnë shkollat shqiptare: fiktiviteti i notës, mungesa e vëmendjes ndaj nxënësit, mësimi përmendësh, etj.
  3. Në shkollat shqiptare disa nxënës privilegjohen për shkak të statusit të prindit. A do të trajtohet çdo nxënës si i barabartë me të tjerët në vlerësim tek “Ernest Koliqi”?
    Ne e konsiderojmë çdo nxënës të barabartë me gjithë të tjerët. Privilegjimi është i papranueshëm nga pikëpamja etike dhe profesionale, por gjithashtu ai e dëmton nxënësin në vend që ta ndihmojë. Prandaj, tek “Ernest Koliqi” askush nuk privilegjohet. Çdo nxënës është njësoj i rëndësishëm dhe asnjëri nuk është më i rëndësishëm se tjetri.
  4. Çfarë risie sjell shkolla nga pikëpamja e metodës së mësimdhënies?
    Zakonisht në shkollat shqiptare nxënësit theksi vihet tek magazinimi i informacionit nga nxënësi, gjë që e nxit atë shpesh të mësojë përmendësh. Tek “Ernest Koliqi” metoda e mësimdhënies dhe ajo e kontrollit të dijes do të shmangin të mësuarit përmendësh dhe do të nxisin mendimin kritik autonom. Kështu në klasë mësuesi do të kërkojë angazhimin e nxënësve në procesin e mësimit, ndërsa në kontrollin e dijes do të kërkojë përdorimin autonom të njohurive në funksion të analizës, kuptimit dhe shpjegimit të dukurive dhe jo riprodhimin e informacionit. Në qoftë nëpër shkollat shqiptare, këto metoda zbatohen vetëm nga mësues individualë, tek “Ernest Koliqi” kjo përbën thelbin e filozofisë së shkollës. 
    Përveç kësaj “Ernest Koliqi” është e vetmja shkollë që ka në kurrikulumin e saj lëndën “Logjika dhe mendimi kritik”.
  5. Në çfarë gjuhe zhvillohet mësimi?
    Mësimi zhvillohet në shqip në të gjithë nivelet, por shkolla ofron edhe disa lëndë plotësuese ose opsionale në anglisht, sidomos në gjimnaz.
  6. A mund të regjistrohet cilido në këtë shkollë?
    Regjistrimi bëhet pas një testi në matematikë e gjuhë shqipe si dhe një interviste me prindërit. Përmes testit shkolla synon të përzgjedhë nxënës të mirë, si dhe të shmangë nxënësit me probleme në sjellje. Nxënësit e përjashtuar nga shkolla të tjera nuk pranohen.
  7. A do të ketë siguri të brendshme? Shkolla monitorohet nga personel i specializuar sigurie. Përveç sigurisë, stafi pedagogjik dhe ai i sigurisë ndalon çdo lloj veprimtarie të padëshiruar brenda territorit të shkollës. Ambjentet kryesore publike janë të monitoruara edhe me kamera.
  8. Si do të informohen unë si prind?
    Përveç pritjes së prindërve dhe informimit mbi ecurinë e nxënësit, shkolla informon menjëherë njërin nga prindërit për vonesat ose mungesat. Gjithashtu prindërit kanë mundësinë të shohin rregullisht notat e nxënësit përmes një linku në Internet. Përveç notave dhe mungesave prindi informohet me e-mail edhe për çështje të veçanta sipas nevojës: veprimtari jashtë-shkollore, punime të shkëlqyera nga nxënësi, probleme sjelljeje, etj. Në rastet e nevojshme mësuesi, psikologia apo drejtoresha mund të kërkojë takim me prindin.
  9. Çfarë aktivitetesh të tjera ofron shkolla përveç mësimit?
    Te “Ernest Koliqi” ne investojmë tek nxënësit që duan të zhvillojnë prirjet e tyre përtej orëve të mësimit. Ne besojmë se çdo nxënës ka talente specifike dhe detyra jonë është t’i zhvillojmë ato. Prandaj në nivelin e gjimnazit shkolla ofron pjesëmarrjen në klube të ndryshme të drejtuar nga vetë mësuesit ose nga ekspertë të ftuar nga shkolla. Për disa nga klasat e shkollës 9-vjeçare është parashikuar një klub leximi i cili synon të rrënjosë te nxënësit edukatën e leximit jashtëshkollor si dhe të zhvillojë aftësitë e prezantimit të teksteve të lexuara përpara klasës. 
    Shkolla organizon ekskursione kryesisht në vjeshtë dhe pranverë. Deti dhe mali janë dy mjediset e preferuara. Me qëllim të lidhjes me botën përtej mureve të shkollës, shpesh ftohen personazhe publikë dhe specialistë të fushave të ndryshme për të ndarë me nxënësit përvojat e tyre. Shkolla organizon gjithashtu konkurse me tematika të ndryshme me pjesëmarrjen e nxënësve (poezi, fotografi, ese, etj). Nën drejtimin dhe shoqërimin e stafit, nxënësit vizitojnë mjedise profesionale për t’u njohur nga afër me procese të ndryshme pune. Gjithashtu nxënësit ftohen të ideojnë apo të marrin pjesë në projekte që synojnë kultivimin e sensit të përgjegjësisë qytetare (p.sh. mbledhja e ndihmave për kategori në nevojë, pastrimi i mjedisit, etj). Për nxënësit e 9-vjeçares janë planifikuar aktivitete jashtëshkollore dhe ekskursione në përshtatje me moshën e tyre. Qëllimi nuk është vetëm argëtimi, por edhe edukimi.
  10. A ka shkolla zyrë psikologu?
    Shkolla ka psikologen e saj, me përvojë në komunikimin me nxënësit e kësaj grup-moshe. Psikologia bashkëpunon ngushtë me stafin pedagogjik për të kuptuar dhe trajtuar sa më mirë nevojat individuale të nxënësve.
  11. A mjaftohet komunikimi me nxënësin vetëm gjatë orës së mësimit?
    Jo, aspak. Nxënësit mund të këshillohen me mësuesit rreth çështjeve mësimore, ndonjë vështirësie të kuptimit të mësimit, në rast interesi për të lexuar më tepër rreth një teme të caktuar, etj. Këshillimi është pjesërisht i detyrueshëm sipas një orari të caktuar nga drejtoria për çdo nxënës), sepse i jep mundësinë mësuesit të ndjekë nga afër ecurinë e nxënësit. Përtej kësaj, çdo këshillim tjetër është fakultativ dhe varet nga interesi i nxënësit. Në rast se është e nevojshme në këtë këshillim mund të marrë pjesë edhe prindi.
  12. A mund të transferohet një nxënës nga një shkollë tjetër tek ju dhe anasjelltas?
    Një nxënës mund të transferohet nga një shkollë tjetër tek “Ernest Koliqi” vetëm pas kalimit të një testi të brendshëm që konfirmon një nivel të mirë të arritur në shkollën paraprake.
  13. A do të jetë shkolla stresuese për nxënësit?
    Procesi i mësimit mund të jetë stresues vetëm kur nga nxënësi kërkohet të mësuarit përmendësh dhe kur mësuesi nuk kupton nevojat dhe prirjet e nxënësit. “Ernest Koliqi” përdor metoda bashkëkohore mësimdhënie që synojnë jo vetëm përvetësimin e njohurive nga nxënësi, por edhe bërjen e orës së mësimit sa më tërheqëse për të. Shkolla jonë synon të nxisë tek nxënësi pasionin për dijen. Klasat e vogla dhe përkushtimi i stafit bën që te nxënësit të nxitet puna sistematike gjë që shmang akumulimin e punës si dhe mbingarkesën e stresin.
  14. A ka shkolla infrastrukturën e nevojshme?
    “Ernest Koliqi” plotëson dhe tejkalon të gjithë parametrat e përcaktuara me ligj për infrastrukturën. 9-vjeçarja dhe gjimnazi janë të ndarë në mënyrë të tillë që nxënësit të jenë të rrethuar vetëm nga grupmosha e tyre. Shkolla ka një hapësirë prej rreth 5.400 m2 dhe një sipërfaqe të shfrytëzuar ndërtese prej rreth 4.500 m2. Mjediset ofrojnë kushte optimale për mësimin si dhe aktivitete të ndryshme sportive, kulturore e sociale. Për shkak të theksit të veçantë që vihet tek lëndët shkencore, shkolla ka laboratorë të pajisur me të gjithë mjetet e nevojshme didaktike.
  15. A do të ndihmojë shkolla tranzicionin e nxënësit në universitet?
    Duke patur parasysh se “Ernest Koliqi” është e orientuar tek nxënësit më të mirë dhe cilësia maksimale, ajo përgatit nxënësit për hapin e mëtejshëm: universitetin. Shkolla ofron të gjithë informacionin e nevojshëm për universitetet në Shqipëri, por mbi të gjitha ndihmon nxënësit e interesuar për të studiuar jashtë vendit me identifikimin e shkollës sipas degës, vendit dhe mundësive për bursa për më të mirët. Shkolla gjithashtu ndihmon nxënësit në përgatitjen e dosjeve të aplikimit për universitetet e huaja.
  16. A ka “Ernest Koliqi” restorant shkollor?
    Po, shkolla ka edhe një restorant me çmime të barabarta me koston e shërbimit, me një vëmendje të veçantë tek dieta e ekuilibruar.
  17. A ofron shkolla transport për nxënësit?
    Shkolla ofron shërbimin e transportit sipas orareve të mësimeve me furgonë të përshtatshëm dhe komodë.