Erin Xhaja (M2022)
Heinrich-Heine-Universität Düsseldorf
Gjermani
Dedikim lamtumire shkollës sime
Të flasësh e aq më tepër të shkruash për një person nga i cili të duhet që së shpejti të ndahesh, nuk është e lehtë. Po aq e vështirë është edhe të shkruash për një ndërtesë, që është bërë shtëpia jote e dytë, e cila merr jetë nga zërat, lëvizjet dhe puna e qindra vetëve: nxënës, mësues, staf të punësuarish etj. Kështu, do të përpiqem që këtë shkrim dedikuar shkollës sime, ta ndërtoj nga copëza kujtimesh të një rrugëtimi 3-vjeçar. Më kujtohet se kontakti im i parë me shkollën “Ernest Koliqi” ishte në prill të vitit 2019, në provimin e bursës për nxënësit që fillonin atë vit klasën e dhjetë.
Gjithsesi, sfidën e parë në shkollën “Ernest Koliqi” e kalova me sukses dhe në shtatorin e po atij viti fillova gjimnazin në këtë shkollë.
S’mund të harroj se sa përshtypje të veçantë më bënë orët e para të mësimit në këtë shkollë, ku do të doja të veçoja shpjegimin plot energji dhe dhënien e plot informacioneve të reja nga mësuesja e biologjisë, pasionin e mësueses së letërsisë për librin, orët mësimore interesante të shoqëruara me mjaft batuta nga mësuesi i matematikës, prezantimet dhe diskutimet e zjarrta në orët e gjeografisë, ushtrimet në orët e kimisë, përfytyrimin e ngjarjeve të të gjithë historisë botërore me kureshtjen e nxitur nga mësuesja e shumë e shumë të tjera, për të cilat mund të shkruaja një libër të tërë me kujtime. Emocioni më shoqëronte gjatë gjithë kohës në vitin e parë.
Viti i dytë ishte po ashtu një vit jo i thjeshtë, që vazhdoi të shoqërohej nga pandemia, por që kaloi sa hap e mbyll sytë. Klasa e dymbëdhjetë mendoj që ka qenë ajo më e ngarkuara nga ana mësimore, por edhe me veprimtari jashtëshkollore. Nuk mund ta përshkruaj gëzimin tim kur më thanë se shkolla ishte pajisur me një piano dhe tashmë do të kisha mundësinë të shprehja pasionin tim për këtë instrument edhe në aktivitetet që organizonte shkolla. Olimpiadat e konkurset, po ashtu kanë qenë të shpeshta sidomos në lëndën e biologjisë.
Në përfundim të këtij shkrimi dua të shpreh mirënjohjen time për shkollën “Ernest Koliqi”, që më mësoi disiplinën e punës, më ka bërë më të aftë për t’u përballur me çdo vështirësi që mund të servirë jeta e që më dha mundësinë të shpreh aftësitë dhe talentet e mia me pjesëmarrjen në konkurse e olimpiada. Dëshiroj gjithashtu të falënderoj të gjithë mësuesit e kësaj shkolle, që e kanë bërë më të thjeshtë e më tërheqëse çdo lëndë për mua me pasionin dhe përkushtimin e tyre, përveç njohurive që më dhanë përmes punës së palodhur. Së fundi, por jo nga rëndësia, dua të falënderoj të gjithë miqtë e mi që m’i bënë më të bukura vitet e gjimnazit në shkollën “Ernest Koliqi”. Ishin tri vite plot sfida e të papritura, por me punë, përpjekje e dëshirë, shkolla ime më ndihmoi që të shoh gjithnjë dritë të gjelbër në fund të tunelit të vështirësive e të kërkoj më tepër për jetën.