Emida Qafa

Emida Qafa (M2021)

Rrugëtimi te Ernest Koliqi ravijëzohet në trajtën e një sfide, çelësi i zgjidhjes, së të cilës strehohet te puna dhe këmbëngulja për të kapërcyer lodhjen, me vetëdijen e kënaqshme se frytet e saj janë tejet të ëmbla. Në themel të bindjes së këtij institucioni arsimor qëndron lufta me vetveten për të përmbushur potencialin maksimal. Përkushtimi i stafit të kualifikuar për të kultivuar te nxënësi ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e mendimit kritik dhe humultimit me qëllim formësimin e bindjeve personale e zgjerimit të horizonteve ideore, ka ushqyer te unë dashuri për dijen e prirjen për të besuar te njohjet dhe aftësitë e mia si armë ndaj bjerrjes intelektuale dhe vlerore. Mjedisi i ngrohtë shoqëror më ndihmoi të zhvilloj empatinë ndaj emocioneve të atyre që më rrethojnë, ndjenjën e identitetit e përkatësisë dhe etikën e punës në grup. Kam njohur miq, të cilët u rritën bashkë me mua dhe kanë qenë mbështetje e forcë kur dukej se fitorja dhe finalizimi i ambicies qe tepër larg. Përvoja tek “Ernest Koliqi” është dëshmi e fuqisë së vullnetit të kalitur nën peshën e disiplinës së punës dhe edukimit të ndjenjës së përgjegjësisë. Mësova se misioni i njeriut në Tokë është të rendë pas asaj që e frymëzon, duke u ushqyer me dije dhe dashuri të pastër për zhvillimin e shndërrimin e vetvetes në një version të realizuar, një qytetar me sfond të pasur kulturor dhe udhëheqës të prirur drejt frymës së ndryshimit.