Enea Voj

Enea Voj (M2022)


Dedikim shkollës

I dashur gjimnaz,

Do të doja të thoja që më ke mësuar aq shumë, më shumë sesa mund ta imagjinoj, por thjesht nuk gjej forcë të shprehem. Përtej marrëdhënies urrejtje-dashuri që kisha me ty, ti më ke dhuruar një thesar të paçmueshëm në jetën time. Më ke dhënë miq që i dua dhe kujdesem për to, njerëz për të cilët e di se do të mendoj përgjithmonë (dhe anasjelltas). Ti më dhe përvojën e të mësuarit për t’u pajtuar me faktin se jo gjithçka që bëj do të jetë e përsosur, e duartrokitur apo e admiruar. Më ke dhënë pothuajse gjithçka që duhet të di nga këtu e tutje, por mjerisht nuk më ke mësuar se si t’ja bëj pa ty…

        Ka kaq shumë gjëra që dua t’u them të tjerëve për gjimnazin, por nuk di nga t’ia filloj. Di të them se përballja e parë me të do te jetë e frikshme. Do t’ju duket sikur keni hyrë në një dhomë të errët pa dritare, ku e vetmja dritë që ndriçon është shpirti juaj. Dalëngadalë, atëherë kur të keni humbur shpresën, dhoma do të mbushet plot dritë. Sa të lumtur do të jeni për një rreze dritë. Do t’ju duket sikur jeta po merr kuptimin e saj, kjo ishte çfarë kishit ëndërruar. Por kjo është veçse një ekstazë. Si një shkreptimë e momentit drita shuhet, lumturia zbehet dhe ja ku e sheh veten si maturant.

       Tre vite m`u deshën të kuptoj se nuk mund të bëj pa ty, Koliq. Çfarë paradoksi? Sa shumë të kam urryer, aq shumë të kam dashur! I zhytur thellë në mendime, këto çaste të fundit i kaloj duke menduar për ty. I trembem ndryshimit e kam frikë të filloj nga e para. Kam frikë se mos ndoshta nuk do të mundem ta ndriçoj më atë dhomë të errët. Kam frikë se nuk do të jetoj më kaq shumë gëzime. Dhe ashtu i trishtuar, lotët më rrjedhin në faqe. Sa mizore që është jeta!

       Shkolla ime, mikeshë e vjetër, rrugëtimit tonë po i vjen fundi. Së shpejti, nuk do t’i dalloj më portat e tua plot lule ku kaluam momentet më të bukura të jetës.    Së shpejti, nuk do të vrapoj më kurrë për të zënë një vend te menca apo t’i lutem Bedries për një copë kek më shumë. Së shpejti, do të kaloj në sfidën tjetër më të madhe: universitetin dhe më pas, jetën e egër. Së shpejti, do të jem aty vetëm për të thënë lamtumirë.

Do të më mungosh, Koliq! Sot mbyllet një kapitull tjetër i jetës sime, por kësaj here i gdhendur me gërma të arta. Do të mendoj për ty, ashtu si ti do të mendosh për mua, me shpresën se një ditë rrugët tona do të kryqëzohen sërish.

I yti, Enea Voj