Arlind Kamberi (M2022)
Charité – Universitätsmedizin Berlin
Gjermani
Dedikim Koliqit
Askush nuk mund ta mendojë sesi kalojnë tre vite me shpejtësinë e një rrezeje drite. Gjithmonë kam menduar se kur nuk arrin të ndjesh shpejtësinë me të cilën kalojnë vitet e tua , ato kanë qenë ose shumë të bukura ose shumë monotone. Por tashmë kur kthej kokën pas, shoh se kam përshkuar në këtë shkollë një rrugë të gjatë, të vështirë, por shumë të bukur. Bukuria kur ecën në një rrugë, veçanërisht kur ajo rrugë është e rrethuar nga “pemët e dijes dhe frytet e suksesit„, nuk është vetëm larmia e tyre, por sfida që ke patur t‘i afrohesh secilës nga ato. Në këtë afrim ke ndjerë emocion, ndrojtje, por ndonjëhere edhe frikë kur ke dashur t’i arrish, të vjelësh frutin e tyre apo veçanërisht duke dashur të ngjitesh në majë të tyre .
Në përfytyrimin tim kjo rrugë që kam përshkruar prej 3 vitesh tek Koliqi ka qenë udhëtim që rrallëherë jeta të ofron. Me momente fantastike, por në disa raste dhe lodhëse, me miq e mësues të mirë, por mbi të gjitha me një frymë bashkëpunimi të rrallë.
Gjyshi më thoshte shpesh një shprehje që më pëlqente shumë:“Suksesi është një pemë që ujitet me djersën e punës e lotët e gëzimit„ Mbase e kishte lexuar diku apo ia kishin thënë të tjerët, por kam menduar se suksesi i tij në jetë ka qenë puna e palodhur për të arritur aty ku dëshironte .
Çdo ditë për të ardhur te ti Koliq, më duhej të bëja një rrugë disi të gjatë, duke u ngritur herët në mëngjes, por duke menduar se lodhja e çdo dite do të shpërblehej nga ato që do të mësoja. Më ka bërë përshtypje gjithmonë një thënie se: “shkolla të mëson si të mësosh„. Besoj se të tre vitet e mia që kam kaluar në këtë shkollë, këtë thënie e kam ndjerë teksa lëvizja në klasat e bankat e kësaj shkolle. Çdo mësues aty ishte një udhërrëfyes që të nxiste drejt së njohurës e vullnetit për të zbuluar të panjohurat, por pa të treguar vijën e horizontit.
Nëse kalon tre vite pranë një institucioni, ato janë afësisht 800 ditë nga jeta jote që të kanë ndryshuar idenë e mendimet e tua për shumë gjëra. Vitet nuk janë aritmetika e thjeshtë në jetën e gjithkujt. Ato janë simbole që duhet t‘i lexosh me kujdes si ato të tabelës së Mendelejevit për të parë se nga çfarë elementësh janë përbërë dhe çfarë vlere apo valence (në termat e kimisë dhe të zysh Bimit) kanë për ty. Në shkollë, gjithsecili mezi pret të mësojë notën pas çdo provimi, por unë shpesh mezi prisja të dëgjoja fjalëm e mësuesit apo mësueses se ku duhet të përmirësoja vetveten për të ecur përpara. Përveç mësuesve, eksperienca e çdo gjëjë tjetër që më ka lidhur aty me sportin, muzikën, letërsinë, shëtitjet e ekskursionet kanë qenë një oaz i vërtetë, ku jam shlodhur dhe kam ripërtërirë energjitë e mia. Larg nga ngarkesa e shkollës, ekskursionet më dukeshin si një botë tjetër, ku të gjithë ishim të lirë të kënaqeshim, pa thyer rregullat strikte sigurisht… E di që nuk do të jetë e lehtë të ndahem nga këto kujtime. Vitet te Ernest Koliqi ishin momenti kur po hidhja hapin më të rëndësishëm në jetën time. Në fakt, ishte hapi që do të përcaktonte sesi do të rridhte jeta ime profesionale e individuale: universiteti. E di që suksesi im pas këtij momenti do të varet sesi unë do ta përdor vullnetin, kohën, fatin dhe mbi të gjitha: këshillat e zyshave më të mira të Ernest Koliqit .
Por në çdo rast, nuk do ta lija veten në heshtje për të shijuar çdo arritje, përkundrazi do të mendoja me zë të lartë: Faleminderit mësues të kësaj shkolle që më dhatë një mundësi të mësoj mbi botën dhe atë që më pret në jetë! Faleminderit zysh Hike, që e bëtë biologjinë një pasion dhe orë relaksi për mua, por mbi të gjitha faleminderit që më shtytë drejt suksesit në konkurse. Faleminderit zysh Moza dhe zysh Junilda, që ishit udhërrëfyeset e duhura drejt botës së pafundme të letërsisë dhe gjuhës shqipe. Faleminderit zysh Genta, që me pozitivitetin dhe përkushtimin tuaj na bëtë ta shijojmë klasën deri në maksimum. Faleminderit zysh Klea, që na bëtë të mendojmë pozitivisht për fizikën, si një proton. Faleminderit profesor Agroni dhe profesor Astriti, që na bëtë ta kemi matematikën një nga armët më të forta të suksesit. Faleminderit profesor Gjergji, që ishit një këshillues dhe shok shumë i mirë. Faleminderit zysh Orikela, zysh Eda, zysh Ana, zysh Nevisa, zysh Ornela, profesor Ermali dhe drejtoreshë Mirela për punën dhe misionin fisnik që keni ndërmarrë për të edukuar breza të talentuar studentësh, të cilët çdo ditë ju bëjnë krenarë me arritjet e tyre. Ndonjëherë them me vete se ndoshta fati më përkëdheli që isha pjesë e kësaj shkolle, por puna e mundi e farkëtoi këtë fat duke më bërë më të fortë të përballoj sfidat e mia. Përtej nostalgjisë, çdo njeri gjithmonë ka dëshirë të rikthehet tek ajo që mendon se ka ndryshuar diçka në jetën e tij. Gjithmonë do të më mungoje kjo shkollë për atë që më ofroi, por besoj se falenderimi im më i madh për të do të jetë që t`ia dal të bëhem ai që duhet të jem: Njeriu që përsos vetveten duke përdorur vullnetin që i kanë dhënë mësuesit e tij. Mirupafshim Koliq dhe vazhdo të nxjerrësh të rinj model, që i duhen kaq shumë Shqipërisë dhe botës!