Zbulim i gjuhës, kulturës, kuzhinës dhe traditave arbëreshe. Si edhe plazh, lojëra dhe ecje në mal.
Në fillim të korrikut një grup nxënësish të “Koliqit” morën pjesë në një kamp veror në Cerzeto, Arbëri (siç i quajnë vendasit fshatrat arbëreshë të Italisë). Kampi ishte një bashkëpunim mes shkollës “Ernest Koliqi” dhe komunës së Cerzetos (ose Qanës siç e quajnë arbëreshët) dhe kryetarit të saj z.Giuseppe Rizzo. Ai u mbështet nga shoqata “Italia delle minoranze” me përfaqësuesin e saj, aktivistin arbëresh, z. Cataldo Pugliese.
Organizimi, përgatitja e programit dhe drejtimi i kampit u bë nga znj. Irene Margariti një njohëse e mirë e Arbërisë prej shumë vitesh.
Nxënësit tanë u pritën kudo me dashuri dhe ngrohtësi emocionuese prej përfaqësuesve dhe qytetarëve të thjeshtë arbëreshë.
Qëllimi i kampit ishte rigjetja e rrënjëve të përbashkëta. Të rinjtë arbëreshe dhe ata nga Shqipëria morën pjesë në aktivitete të përbashkëta social-kulturore dhe argëtuese në zonat arbëreshe. Kampi ishte konceptuar gjithashtu si një vizitë kërkimore e studimore për historinë, gjuhën, traditat, kuzhinën dhe elementë të tjerë kulturorë arbëreshe.
Shkolla jonë dhe komuna e Cerzetos kanë parashikuar edhe sesione të tjera të këtij kampi.
Përmes këtyre aktivitetete shkolla jonë synon që të kontribojë në rigjallërimin e komuniteteve arbëreshe. Shpresojmë që edhe shkolla të tjera të ndjekin shembullin tonë, por edhe familjarë dhe turistë nga Shqipëria.