Mirësevini | 9-vjeçare | Gjimnazi | Kontakt
Shkolla 12 vjeçare franko-shqiptare
"ERNEST KOLIQI"
Mob: 0682000767 | Email: info@ernestkoliqi.com

Punime të nxënësve

Konkursi i eseve për "7 Marsin" / 2016

Ese: "7 marsi, kuptim apo imazh?"

 

Gjithçka nisi me luftën për lirinë tonë. Nisi me luftën e dijetarëve, që ne sot të komunikojmë lirshëm në gjuhën shqipe. 7 Marsi fillmisht është simbol i fitores së kësaj lufte. Një kohe më të mirë për popullin shqiptar.

Para së gjithash, si përfaqësues i fitores së kësaj lufte, nuk mund të quhet vetëm imazh… Është një datë plot kuptim e me shumë vlerë për Shqipërinë e shqiptarët. Por kjo nuk është gjithçka kjo datë përfaqëson. Nuk është vetëm festë historike, por është data në të cilën ne duhet të jemi falenderues ndaj figurës së mësuesit.

Mbaj mend ditën time të parë të shkollës. Isha i vogël, me emocione të përziera. I gëzuar por edhe i frikësuar prej kësaj përvoje të re. Klasa në të cilën hyra, ishte plot fëmijë të tjerë, plot fytyra të reja e, në krye të klasës, qëndronte mësuesja ime e parë, Fllanza. Pa të, unë nuk do të isha ky që jam sot. Nuk mbaj mend ta kem parë të shqetësuar ndonjëherë. Çdo ditë, e buzëqeshur, e ngrohtë, njësoj si një mama për të gjithë ne. Ky person i vetëm arriti të afronte dyzetë fëmijë, të panjohur për njëri-tjetrin, duke krijuar një familje të madhe e të re. Kjo nuk është detyrë e lehtë, por detyrë të cilën vetëm një numër i vogël njerëzish kanë vullnet ta bëjnë.

Në Kosovë kam përfunduar katër vitet e para të shkollës e, prej asaj kohe, jetoj këtu në Tiranë. Vitet e para këtu, nuk kanë qenë të lehta për mua. Kam hasur shumë vështirësi në gjuhë e në përshtatje me mënyrën e komunikimit. Isha i vogël e pak i ndrojtur në përballje me një vend të ri. Dëshira ime e vetme, kur kam ardhur në Shqipëri, ka qenë të kthehem në Kosovë, pranë “familjes” sime. Nuk mendoja që do përshtatesha me rrethin shoqëror. Sot nuk di ta shpjegoj pse, madje nuk arrij të kuptoj pse kam mbajtur atë qëndrim atëherë. Ky ndryshim i mendimit tim nuk ka ardhur nga hiçi, ai është frymëzuar e iniciuar nga mësuesja kujdestare. Ajo më dha forcë e ringjalli tek unë dëshirën për të punuar e ma bëri të lehtë ambientimin.

Para jush sot ndodhet një djalë i qeshur. Një djalë që sheh së pari dritën dhe gëzimin, përkundrejt errësirës dhe hidhërimit. Por unë nuk kam arritur deri këtu vetëm… Nuk do isha kurrë, ky që jam sot pa ndihmën e mësuesve të mi. E kjo ditë për mua nuk vlen vetëm si një imazh i krijuar ndër breza, por merr kuptim plotësisht.

 

Punoi: Rron Shehu - klasa: X-3

 

 

Kthehu pas

Shperndaje këtë faqe

*Rregullorja për mbrojtjen e të dhënave personale

 

©2011 - 2018 | Shkolla Franko-Shqiptare "Ernest Koliqi"
Të gjithë materialet e botuara janë pronë e Shkollës Franko-Shqiptare "Ernest Koliqi. Botimi i plotë apo i pjessshëm mund të bëhet vetëm me leje me shkrim nga shkolla.

Dizajn: KOKUSHTA Webdesign

Faqja jonë përdor Cookies që të funksionojë dhe të shërbejë më mirë. Për më shumë informacion, lexoni Rregulloren për mbrojtjen e të dhënave personale.