Mirësevini | 9-vjeçare | Gjimnazi | Kontakt
Shkolla 12 vjeçare franko-shqiptare
"ERNEST KOLIQI"
Mob: 0682000767 | Email: info@ernestkoliqi.com

Punime të nxënësve

Konkursi i eseve për "7 Marsin" / 2016

Ese: "7 marsi, kuptim apo imazh?"

 

Shtatë marsi është një ditë që tani vjen ndryshe tek unë, krahasuar me disa vite më parë. Më parë, kisha përqafuar në mënyrë të pandërgjegjshme prirjet e shoqërisë për t’i imponuar fëmijëve idenë e dashurisë ndaj mësuesit, pa kuptuar që imponimi nuk funksionon në këtë fushë. Sot e kam të qartë që dita është vetëm një imazh, sepse kam kuptuar se ç’është në të vërtetë dashuria ndaj mësuesit.

Historikisht, rëndësia e shkollës është vënë te dija, si vetë shkaku i krijimit të saj. Për mua, shkolla, krahas dijes, ndikon rrënjësisht në formësimin e karakterit të nxënësit. Pas familjes, vendi i parë ku njeriu gjendet përballë shoqërisë dhe mënyrave të funksionimit të saj, është shkolla. Në këtë mjedis, nxënësi krijon konceptet e së drejtës, të të nxenit, meritokracisë, punës, sjelljes, respektit dhe, mbi të gjitha, krijon perceptimin mbi veten. I gjithë ky mjedis ka një kompozitor përgjegjës për mirë ose keqfunksionimin e tij, mësuesin. Kështu, në qoftë se për t’u bërë prind duhet të mendohesh gjatë, sepse merr përgjegjësinë mbi fëmijën tënd, per t’u bërë mësues duhet të mendohesh akoma dhe më gjatë, sepse rritet numri i atyre për të cilët ke përgjegjësi.

Për të arritur në përfundimin se perceptimi i deritanishëm ka qenë i imponuar dhe rrjedhimisht, i pavërtetë lidhur me dashurinë ndaj mësuesit, ishte e nevojshme të kuptoja se cili do ishte ai reali. Si duket vertet dashuria për mësuesin? A vjen ajo me petkat e praruara në ar që shkruajnë në to “Nëna e dytë” apo “Mësuesi/ja më e mirë në botë” ? Sigurisht që jo. Idealizimi çnjerizon. Ai e zhvesh njeriun nga tiparet njerëzore. Duhet të pranojmë që mësuesit s’kanë gjithnjë të drejtë, se ata nuk dinë gjithçka dhe se, mbi të gjitha, dhe ata gabojnë. Nuk ekziston mësuesi ideal, por kjo nuk e zbeh forcën që ai ka për të ndryshuar një botë dhe për të hedhur gurët e themelit drejt ndërtimit të një bote të re. Mesuesi ka forcën të shkundë pluhurin e shpiritit dhe të ngjallë dëshirën për rritjen e tij.

Çdo revolucion ka nevojë për një nxitje që të shpërthejë. Çdo njeri ka nevojë për frymëzim që të shfaqë potencialin e tij. Frymëzimet mund të na vijnë nga teori, ide, libra, filma apo fjalë, por s’ka frymëzime më të fuqishme se vetë njerëzit. Njeriu frymëzues është i prekshëm , është i gjallë, është konkretizim në gjak dhe kocka i diçkaje më të madhe se ne. Mësuesi që inspiron drejt diçkaje më të madhe se ne vetë, ka një vend krejt të veçantë në shpirtin, mendjen dhe kujtesën e një nxënësi.

Një mësues që të krijon konceptet e para mbi botën, që ka forcën për të të ndryshuar rrënjësisht dhe që është frymëzues për nisjen e një rrugëtimi të rëndësishëm në jetë , a mund ta vlerësosh e duash në një ditë? Dashuria për të nuk mund të përkufizohet , sepse kjo do e limitonte, e jo më të kanalizohet në një ditë të caktuar. Ajo është e shpërndarë kudo rreth qenies sonë dhe i reziston kohërave. Ajo është përditë me ne dhe është krejt e panevojshme një ditë ku të gjithë, si për inerci zgjedhin të njëjtat forma të shfaqjes së dashurisë. Dashuria është diverse në natyrë dhe si e tillë, nuk mund të festohet në ditë të caktuara dhe të shprehet në forma të ngjashme.

Dita e 7 Marsit është një imazh, por dashuria për mësuesin jo. Mendoj se, në qoftë se të gjithë do ulemi në tryezën e jetës, duhet të ngremë një gotë për mësuesit që frymëzojnë.

Gëzuar!
Një dolli e merituar për mësuesin.

 

Punoi: Megi Bakiasi - klasa: XI-1

 

 

Kthehu pas

Shperndaje këtë faqe

*Rregullorja për mbrojtjen e të dhënave personale

 

©2011 - 2018 | Shkolla Franko-Shqiptare "Ernest Koliqi"
Të gjithë materialet e botuara janë pronë e Shkollës Franko-Shqiptare "Ernest Koliqi. Botimi i plotë apo i pjessshëm mund të bëhet vetëm me leje me shkrim nga shkolla.

Dizajn: KOKUSHTA Webdesign

Faqja jonë përdor Cookies që të funksionojë dhe të shërbejë më mirë. Për më shumë informacion, lexoni Rregulloren për mbrojtjen e të dhënave personale.