Mirësevini | 9-vjeçare | Gjimnazi | Kontakt
Shkolla 12 vjeçare franko-shqiptare
"ERNEST KOLIQI"
Mob: 0682000767 | Email: info@ernestkoliqi.com

Punime të nxënësve

Konkursi i eseve për "7 Marsin" / 2016

Ese: "7 marsi, kuptim apo imazh?"

 

“I gjuajta me gurë dhe nuk shkova më në shkollë që prej asaj nate….” thotë gjyshja ime teksa kujton vitet e fëmijërisë së saj në qytetin e Filatit, në Çamëri. Është e çuditshme sesi në moshë të thyer që është, arrin të risjellë në mendjen e saj caste të largëta e që për këdo tjetër nuk do të kishin shumë rëndësi. Dikush tjetër do të kish qeshur me të madhe duke rikujtuar gallatat e viteve të shkollës, mësuesit më të dashur, apo do të sillte ndërmend çastet më të vyera të gjithë procesit mësimor. Për gjyshen time, si dhe për këdo që është detyruar të jetojë vitet më të brishta të jetës nën pushtimin e popujve të huaj, çdo fragment i jetës është shoqëruar me një dhimbje të paskajshme, dhe me revoltë shpirtërore ndaj pamundësisë për të reaguar kundrejt përpjekjeve për çrrënjosjen e gjuhës shqipe nga shpirti i çdo shqiptari ne trevat tona.

“Edhe kur duhej të bënim mësim në gjuhën shqipe, në klasë hynte një mësues grek dhe fliste greqisht. Mësuesit shqiptarë bënin sikur nuk kuptonin shqip, dhe kjo më zemëronte pa masë. Edhe i shaja, por në shtëpi më prisnin të rrahurat dhe ulërimat nga babai dhe nuja nga frika se mos na vrisnin. Një ditë nuk durova dot më dhe vendosa ta lija shkollën. Nuk më linin të flisja shqip, dhe kur flisja, më gjuanin me thupra! Pas shkolle e ndoqa mësuesin kujdestar grek deri në shtëpinë e tij. U riktheva në darkë kur ishte totalisht errësirë, dhe prita deri sa të dilte në oborr. I gjuajta me gurë dhe nuk shkova më në shkollë që prej asaj nate…” tregon gjyshja teksa sytë i mbushen me një zhgënjim prej realitetit të kohës, ku i mohohej dhe e drejta për të folur gjuhën e saj, pesëdhjetë e një vjet pas hapjes së shkollës së parë shqipe në Shqipëri. Ndërkohë që fryma rilindase në Shqipëri iu dedikua aq shumë krijimit të shkollave, arsimimit të shqiptarëve, krijimit të alfabetit të mirëfilltë, si edhe botimit të librave në gjuhën shqipe, pamundësia për t’u krenuar me këto arritje i shoqëroi shqiptarët për vite e dekada.

Të gjitha këto përdhosje të gjuhës dhe shkollës në gjuhën mëmë duket se do t’ia zbehnin rëndësinë e madhe datës 7 mars, dhe kuptimit parësor që ajo mban. Hapja e shkollës së parë në gjuhën shqipe i dha shkas shovinistwve të huaj të tentonin të zhbënin atë që me mund e djersë arritën të krijojnë rilindasit tanë. Ata shfrytëzuan simbolet tona dhe i shtrembëruan sipas interesave të tyre egoiste përgjate dy luftërave botërore. Ndaluan arsimin në gjuhën shqipe e dënonin këdo që guxonte te lëvronte gjuhën shqipe. Por, pas gjithë bëmave të epërsisë pushtuese armiqësore, në vitet në vijim, mbeti qëndresa dhe pasioni për të mbajtur të pandryshueshme themelet e identitetit tonë kombëtar. Shqiptarët vazhduan traditën e tyre me qëllim që gjuha shqipe të mos humbte madhështinë e saj.

Dita e 7 marsit mbart me vete një histori të tërë që synojmë ta ruajmë në ditët e sotme. Ajo ndodhet në rrudhat e gjyshes sime e në gëzimin e saj të parë kur u regjistrua për herë të parë në një shkollë shqipe pas dëbimit të egër nga Çamëria. Ajo ndodhet në çdo varg e rresht të letrave të autorëve tanë më të mëdhenj, prej të cilëve unë frymëzohem e rritem shpirtërisht. Dita e 7 marsit shkrihet në lulet e urimet, tek mësuesit tanë, në secilën gërmë të alfabetit, nën lekurën e çdokujt që e di se ç’do të thotë të flasësh shqip.

Dita e 7 marsit fillon që në momentin e parë që hapim sytë në mëngjes e themi “Mirmëngjes” dhe mbaron me puthjen e nënës teksa të thotë “Natën e mirë, bija ime.” e ne na duket si fjala më e ëmbël në botë.

Pa e kuptuar, kjo ditë e kjo gjuhë është pjesë e jetës sime në çdo hap të sajin, një pasuri e madhe, një trashëgimi personale, një identitet, pa të cilën unë do të isha kushdo tjetër veç kësaj që jam sot, të cilën nuk do ta ndryshoja për asgjë në botë.

 

Punoi: Anisa Muça - klasa: XII-1

 

 

Kthehu pas

Shperndaje këtë faqe

*Rregullorja për mbrojtjen e të dhënave personale

 

©2011 - 2018 | Shkolla Franko-Shqiptare "Ernest Koliqi"
Të gjithë materialet e botuara janë pronë e Shkollës Franko-Shqiptare "Ernest Koliqi. Botimi i plotë apo i pjessshëm mund të bëhet vetëm me leje me shkrim nga shkolla.

Dizajn: KOKUSHTA Webdesign

Faqja jonë përdor Cookies që të funksionojë dhe të shërbejë më mirë. Për më shumë informacion, lexoni Rregulloren për mbrojtjen e të dhënave personale.