Ejsi Berisha

Ejsi Berisha

Master 2 OMERR – Opérations de marché et régulation des risques
École supérieure de la banque (CFPB)
Master 1 MBFA – Monnaie, Banque, Finance, Assurance / Paris 1 Panthéon – Sorbonne

Gjithmonë…, gjithmonë u rikthehem me shumë nostalgji kujtimeve që mbart nga gjimnazi.

Kujtoj me mall orët e letersisë, diskutimet mbi librat dhe luftën e madhe me veten, për të bërë një detyrë të denjë e të qëndisur, në mënyrë që mësuese Moza të ma kujtojë ende sot e kësaj dite atë përshkrimin  “sipas stilit të Albert Camus”, më 17.02.2013. Nuk mund ta harroj pasionin e mësuese Hikes për biologjinë, aq sa u vura në dyshim të madh me vetveten se mos, ndoshta, kisha një pasion recesiv ende të pazbuluar. Sigurisht, përkushtimi dhe këmbëngulja e mësuese Ermioni-t do të më rikthente përsëri në botën e shifrave, sepse ora e matematikës bëhej gjithmonë interesante me ato 2 faqet ekstra të problemave. Pasi mbaronim matematikën, me kujtohet tek zbrisja me vrap tek “Amfiteatri” (salla e magjishme e aktiviteteve të shkollës), sepse atje na priste një lëndë, në të cilën profesor Ermali nuk na lejonte të dilnim nga klasa, nëse nuk do sfidonim frikën e të folurit në publik. Sot, në ambientet e universitetit, pranoj të marr përsipër atë që dikur e shikoja si një sfidë kaq të madhe, të flas e të prezantoj përballë dhjetra studentëve, duke i thënë vetes: ‘Ejsi, ti sapo e munde ARIUN!’ (Organizonim dhe mundje në orën e Hyrjes në komunikim, për të sfiduar frikërat tona më të thella; ariu ishte i preferuari ynë.)

Nuk e di se ku tjetër do të mund të gjeja një shkollë, në të cilën të mësoja që të punoja seriozisht me veten, të sfidoja limitet dhe, mbi të gjitha, të besoja se vetëm me shumë punë, do të mund të përmbushja objektivat e mi! Tashmë jam në përfundim të një tjetër cikli akademik dhe, më shumë se kurrë, e vlerësoj edukatën e punës që kam marrë nga ‘Ernest Koliqi’… Gjithmonë mirënjohëse!…

Ps. Mos mendoni se ka ndonjë shkollë tjetër në Tiranë që mund të organizojë ekskursione më të veçanta se “Ernesti”! Vetëm të dini se sa masë muskulore kam vënë nga orët e gjata të ecjeve në Theth, skitë në Dardhë dhe kampingu në Livadh!